http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Radikalizmi islamik është kthyer së fundmi në një prej shqetësimeve më të mëdha në shtetin e ri të Kosovës. Me operacionin e ditëve të fundit, ku u arrestuan dhjetëra të dyshuar për terrorizëm, Prishtina zyrtare tregoi se nuk do të jetë vatër e ekstremizmit fetar. Këtë e konfirmoi aksioni policor, por edhe deklaratat e zyrtarëve më të lartë shtetërore, si Presidentja Jahjaga, kryeministri Thaçi, por edhe krerë të partive të tjera. Një qëndrim të njëjtë mbajti edhe Bashkësia Islame e Kosovës. Kreu i saj, myftiu Naim Ternava mbështeti operacionin dhe theksoi se ekstremizmi nuk është vlerë e islamit. Frika e shtrirjes së radikalizmit islamik në rajonin e Ballkanit është theksuar edhe në një artikull të gazetës prestigjioze ?Financial Times?. Sipas saj, pas Irakut, militantët e ISIS do të veprojnë në shtete në të cilat ka shumë myslimanë, si Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Bosnje Hercegovinë. Autorë të këtyre krimeve janë edhe shumë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, siç ishte rasti i Lavdrim Muhaxherit, i cili postoi edhe foto në internet. Rreth 100 shqiptarë, thuhet se kanë humbur jetën nga luftimet në Siri dhe Irak. Ndaj masakrave që po ndodhin në këto rajone kanë reaguar edhe komunitetet fetare në Shqipëri, përmes një komunikate zyrtare të Këshillit Ndërfetar.