http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në kulmin e diskutimeve për formimin e qeverisë së re në Prishtinë, ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Viktorja Nuland qëndroi në Kosovë në kuadër të turit të saj ballkanik. Ndërsa përshëndeti procesin zgjedhor, gjatë takimit me presidenten Jahjaga, zyrtarja e lartë e SHBA-së ritheksoi përkrahjen e fuqishme të Uashingtonit zyrtar për Kosovën. Nuland inkurajoi klasën politike në Kosovë që të vijojë bisedimet me Serbinë, për zbatimin e plotë të paktit të 19 prillit në Bruksel. Ndalesa e dytë e ndihmës sekretares amerikane ishte takimi i përbashkët me dy liderët e partive opozitare, Ramush Haradinajn e AAK-së dhe Isa Mustafën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ata konfirmuan se gjatë bisedimeve nuk është folur për formimin ose jo të koalicionit të ri qeveritar. Qëndrimin në Kosovë, Nuland e ka mbyllur me një takim me kryeministrin në detyrë Hashim Thaçi. Sikurse thuhet në komunikatën për shtyp të publikuar në faqen e kryeministrisë, Thaçi thekson se klasa politike mbetet e angazhuar per te zbatuar rezultatin e zgjedhjeve të qershorit, por dhe detyrimet e saj në procesin e integrimit, veçanërisht zbatimin e paktit të Brukselit.