Ashton takime në Kosovë - Vizion Plus - News - Lajme

VizionPlusAlbania 2015-11-23

Views 0

Me qellim ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve dy palëshe, shefja e diplomacisë europiane, Ketrin Ashton qëndroi sot në Prishtinë, ku u takua me krerët shtetërorë, si dhe me disa prej liderëve të partive opozitare.
Fillimisht, Ashton u prit nga Presidentja kosovare Atifete Jahjaga dhe kryeministri Thaçi. Në një komunikatë për mediat të zyrës së Presidencës, Eshton citohet të ketë thënë se gjatë takimeve të sotme është vlerësuar përparimi i deritanishëm në dialog. "Kemi biseduar veçanërisht për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe për domosdoshmërinë e finalizimit të diskutimeve dhe arritjes së marrëveshjeve mbi çështjet e hapura, me theks të veçantë për veriun e Kosovës, sa më shpejt të jetë e mundur." Ndërsa, Jahjaga, sipas komunikatës, ka shprehur mbështetjen e saj për dialogun me Serbinë, duke e vlerësuar atë si të vetmen zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kryetarja e shtetit të Kosovës ka përsëritur qëndrimin e Prishtinës zyrtare, se strukturat paralele serbe në veri, duhet të shpërbëhen. Pas takimit, kryeministri Thaçi theksoi se i shprehu zonjës Ashton, vendosmërinë që normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, duhet të arrihet brenda kornizave kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës. Shefja e diplomacisë europiane u takua edhe me partitë politike në opozitë, por jo me lëvizjen Vetëvendosje, e cila deri më tani ka kundërshtuar ashpër procesin e bisedimeve që po zhvillohet në Bruksel. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e vlerësoi vizitën si një përpjekje të fundit, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë. Pas mbylljes së takimeve në Prishtinë, baronesha Ashton u nis drejt Beogradit, ku zhvillon takime me liderët shtetërorë serbë.

Share This Video


Download

  
Report form