http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kjo është ajo çfarë ka mbetur nga shtëpia e At Gjergj Fishtës, kolosit të letrave shqipe. I shumëpërfolur, i konsideruar si Homeri Shqiptar, i dënuar nga sistemi komunist, Fishta vazhdon të jetë jashtë vëmendjes edhe pas ndryshimeve demokratike. Jo sa i takon veprës së tij por kujdesit ndaj shtëpisë ku ai jetoi dhe prodhoi një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij. Pakëz nga ajo histori që ka mbetur prej Fishtës, degdiset në muret e çara të një banese që të tregon se ajo ishte shtëpia ku ai jetoi. "Lahuta e Malcisë" ruhet me fanatizëm nga të afërm të Fishtës, por gjithçka tjetër tretet në gërmadhat e një shtëpie dykatëshe. Zëvendësministri i Kulturës, Zef Çuni tha pak ditë më parë nga Korça se ka një projekt për rikonstruksionin e saj, ndërsa një grup shqiptarësh në diasporë kanë siguruar një fond fillestar prej 40 mijë eurosh ndërsa pritet që kontributi për kthimin e kësaj banese në një muze të jetë edhe më i madh. Specialistë të urbanistikës thonë se duhen të paktën 200 mijë euro në mënyrë që objekt kulture të marrë formën që i takon ndërkohë që veç kontributit të shqiptarëve në mërgim për restaurimin e saj ka një fond edhe nga qeveria shqiptare. Gjergj Fishta ishte figura zotëruese e letërsisë shqipe në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, deri në vitin 1940 kur ai vdiq ndërsa deri në vitin 1945 u konsiderua me vlerësimin poet kombëtar.