http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Prerja pa kriter e pyjeve ka prekur edhe zonat që janë shpallur në mbrojtje nga shteti, ndërsa fenomeni nuk ka kursyer as masivin pyjor të Divjakës. Gjurmët e prerjeve të drurëve shumëvjeçarë duken qartë në brendësi të këtij masivi, pavarësisht se specialistë dhe banorë të zonës janë përpjekur ndër vite të mbrojnë këtë pasuri të paçmuar. Fakti i dëmtimit të Parkut të Divjakës, pohohet edhe nga Drejtori i Ndërmarrjes së Pyjeve në Lushnjë Ardian koci. Ndërsa persona të papërgjegjshëm shtojnë fitimet e tyre përmes kësaj veprimtarie të paligjshme, mjedisi dëmtohet gjithnjë e më shumë. Por duket se dora e të gjithë atyre që shkaktojnë këtë masakër tashmë do të ndalet. Kjo është dhe deklarata e fortë e dhënë nga ministri i Mjedisit Lefter Koka sot në Divjakë në ditën ndërkombëtare të pyjeve. Ai mori pjesë në fushatën e mbjelljeve të pemëve të pishës në këtë zonë , ndërsa ka pohuar se i ka ardhur fundi masakrave që iu janë bërë pyjeve në Shqipëri. Në këtë ditë dhjetëra banorë të Divjakës dhe të rinj i janë bashkuar nismës së Ministrisë së Mjedisit për të pyllëzuar këtë zonë me 7 mijë fidanë të rinj pishe. Në këtë veprimtari morën pjesë edhe deputetët e qarkut Fier Erjon Braçe dhe Robert Bitri.