Furrat e gëlqeres nuk ndalen - News, Lajme - Vizion Plus

VizionPlusAlbania 2015-11-24

Views 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Tre ditë pas bërjes publike të vendimit të ministrisë se Mjedisit për pezullimin e furrave të gëlqeres, puna në to vijon normalisht. Në zyrat e bashkive të qyteteve, ku zhvillohen këto biznese, nuk ka asnjë urdhër të shkruar apo verbal për të ndërhyrë për mbylljen e tyre. Kryebashkiaku i Fushë-Krujës, Gjon Bardhi, madje pohon se lajmin e ka marrë vesh nga media. Sipas tij, pushteti vendor nuk ka fuqi të ndërmarrë të tilla aksione edhe pse ka provuar disa here pa rezultat. Furrat e gëlqeres janë ngritur ilegalisht në oborre shtëpish dhe kryebashkiaku pohon se pa mbështetjen e forcave të rendit nuk do të ndërhyjë. Këtë të hënë, kryebashkiakët e Fushë Krujës, Krujës, kryekomunari i Niklës, drejtues të policisë dhe inspektorateve ndërtimore ishin thirrur në një mbledhje në prefekturën e Durrësit. Mbledhja që do të bënte planin e masave për pezullimin e furrave të gëlqeres, u anulua nga ministria e Mjedisit pa ndonjë justifikim. Aktiviteti i prodhimit të gëlqeres e ka zanafillën madje në vitet e fundit të monizmit. Familjet vendase e shohin atë si mënyrën e vetme për të siguruar të ardhurat. Por drutë që përdoreshin si lëndë djegëse duket se kanë një kosto të lartë, që minimizohet disafish, duke djegur gomat e përdorura të makinave. Sipas ministrisë së Mjedisit, 109 janë pikat që funksionojnë në mënyrë të paligjshme dhe pa leje mjedisore, ndërkohë që rreth 40 të tjera janë të ligjshme. Megjithatë, vendimi mbeti ende në kuadër të deklaratave, duke lënë të paqartë pushtetin vendor se kur, si dhe me kë do të behet ndërhyrja për të pezulluar këto aktivitete.

Share This Video


Download

  
Report form