Mediat e huaja për Berishën - Vizion Plus - News, Lajme

VizionPlusAlbania 2015-11-23

Views 0

Ashtu siç kanë pasqyruar me shumë kujdes të gjithë procesin zgjedhor dhe fushatën në Shqipëri, mediat më të rëndësishme ndërkombëtare nuk kanë lënë pa i kushtuar rëndësi as fjalimit të një dite më parë të kryeministrit në largim, zotit Sali Berisha. Gazetat, televizionet dhe agjencitë më të njohura, si "Financial Times", "Al Jazeera", "Reuters" apo "Ansa" raportojnë për deklaratat e Berishës se pranon humbjen, që dorëhiqet dhe që uron palën fituese. "Kryeministri shqiptar pranon disfatën në zgjedhjet e përgjithshme, duke i hapur rrugën transferimit të butë të pushtetit tek opozita e liderit Edi Rama, koalicioni i majtë i drejtuar prej të cilit, fitoi një mazhorancë dërrmuese në zgjedhjet e së dielës", shkruan prestigjiozja "Financial Times". Më pas, e përditshmja citon një pjesë të fjalimit të Berishës, ku ai i cilëson zgjedhjet si më të lirat dhe të ndershmet, të mbajtura ndonjëherë në vendin tonë. Mandej, gazeta bën një përmbledhje të rezultatit të zgjedhjeve, faktit që shumë emigrantë u kthyen si asnjëherë më parë për të votuar, si dhe për armatën e vëzhguesve vendas e ndërkombëtarë. Agjencia "Reuters" i kushton rëndësi faktit që pas tre ditësh heshtje, Berisha komentoi më në fund rezultatin duke pranuar humbjen dhe duke i dhënë fund frikës se nuk do ta bënte diçka të tillë. "Duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve, i uroj mbarësi kundërshtarit tim", citon Berishën "Reuters", duke vijuar me njoftimin e tij se merr përsipër përgjegjësinë dhe jep dorëheqjen, edhe pse një turmë e madhe mbështetësish i kërkonte që të mos e bënte këtë. Ndërsa televizioni i madh arab "Al Jazeera", ndërsa raporton lajmin, publikon edhe një foto të Berishës, në një moment kur ai fshinte lotët gjatë lajmërimit të dorëheqjes, i prekur nga situata e krijuar. Raportime të tjera ka patur edhe nga agjencia italiane "Ansa", "Associated Press", "AFP" e shumë media të tjera ndërkombëtare.

Share This Video


Download

  
Report form