Jehona mediatike e deklaratës së kandidatit Nasip Naço në mitingun e LSI në Berat se Ilir Meta do të jetë Kryeministri i pas 23 qershorit, është shuar nga vetë kreu i LSI-së. Zoti Meta e konsideroi qëndrimin e Naços si personal dhe theksoi se angazhimi maksimal i opozitës është largimi i kryeministrit Berisha nga qeverisja. "Objektivi kryesor i LSI është fitorja e Aleancës për Shqipërinë Europiane më 23 qershor dhe arritja e një rezultati historik pasi i tillë do jetë. Lidhur me deklarata të caktuar, ato nuk na shmangin nga objektivat kryesore që ne kemi. Koalicioni është në sintoni të plotë dhe me një rritje të jashtëzakonshme të rritjes së bashkëpunimit që thellon fitore. Ne kemi rënë plotësisht dakord që Doktori të mos jetë më kryeministër". I pyetur nga Vizion Plus për pritshëmëritë elektorale edhe brenda kampit të majtë, Meta theksoi se të paktën në një qark LSI do të jetë forcë e parë. Duke komentuar deklaratat e bëra nga Berisha në Gjirokastër se Meta kërkon të bëhet kryeministër, Meta i cilësoi thjesht diversione. "E ftoj Berishën në Berat për turizëm. Diversionet e Berishës brenda të majtës apo opozitës nuk kanë asnjë të ardhme. Ai arriti të qëndrojë për një kohë të gjatë në pushtet falë këtyre problemeve. Tani fillon një epokë e re". Ai ftoi sërish shefin e qeverisë të miratojnë 3 ligjet, për t'i dhënë mundësi vendit të marrë statusin kandidat brenda këtij viti.