TIRANË - 21 gushti është afati i fundit i përcaktuar nga ministria e arsimit që studentët e Maqedonisë, Malit të zi, Bujanovcit e Preshevës të aplikojnë për të studiuar në Shqipëri.
Njoftimi për këtë është bërë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë e cila po ashtu sqaron se brenda këtij afatim bëhet dorëzimi i dokumentave dhe kërkesës për njohjen e diplomave të shkollës së mesme. Kjo është kërkesa që duhet të plotësojë çdo aplikant që dëshiron të studiojë në Shqipëri.
Njohja e diplomave kërkohet si kusht për aplikimin në institucionet e arsimit të lartë publik. Për shqiptarët e rajonit, Këshilli i Ministrave ka miratuar 600 kuota studimi.
Të gjithë kandidatët shqiptarë të rajonit, të cilët do të shpallen fitues do të kenë mundësi që të ndjekin studimet e larta në ciklin e parë ose të dytë të arsimit të lartë me kohë të plotë.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve
Njoftohen të gjithë kandidatët nga Republika e Kosovës si dhe kandidatët shqiptarë nga Maqedonia, Mali i zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet universitare, me kohë të plotë, në ciklin e parë të studimeve, në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, si dhe në programet jouniversitare profesionale, në institucionet publike të arsimit të lartë, për vitin akademik 2015 ? 2016 se, afati i fundit për dorëzimin e kërkesës dhe dokumentacionit për njohjen e diplomave të shkollës së mesme është deri në datën 21 gusht 2015 pranë MAS. Njohja e diplomës së shkollës së mesme është kusht për aplikimin në IAL-të shqiptare.