Ish guvernatori i Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani nga kjo e martë është zyrtarisht nën akuzë për shpërdorim detyre.
Fullani është njohur me akuzën ndaj tij rreth orë 16:00 në zyrën e prokurorit Ndini Tavani ku ish-zyrtari i bankës ka qenë në shoqërinë e avokatit të tij Maks Haxhia.
Hetimet për Fullani u mbyllën një vit pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Bankës si dhe verifikimit të tenderit të blerjes së Hotel Dajtit dhe tenderave të qirasë për objekte të marra në shfrytëzim nga Banka e Shqipërisë
Burime nga grupi hetimor për A1 Report bënë me dije se Fullani nuk ka kundërshtuar konkluzionet e akuzës, por ka firmosur mbylljen e hetimeve duke pretenduar pafajësinë e tij.
Të njëjta burime sqaruan se në hetimet e kryera një ndër provat që ka faktuar shpërdorimin e detyrës nga ish-guvernatori është fakti se procedurat e tenderit për blerjen e Hotel Dajtit kanë nisur një muaj pasi qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri Berisha kish shpallur me vendim shitjen e hotelit për llogari të bankës.
Dëmi në buxhetin e shtetit përllogaritet në miliona euro me një sërë tenderash të bërë në shkelje të ligjit, ndërsa për të arritur në zyrtarizimin e kësaj akuzë hetuesit janë ndihmuar dhe nga dëshmitë e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës.