Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Engjëll Zeqo inspektuan sot punimet për ndërtimin e Qendrës së re Kombëtare Dispeçer.
Projekti me vlerën 23 milion euro është pjesë e një pakete objektesh për sistemin elektroenergjitik të financiar nëpërmjet një huaje të Kooperacionit Italian.
?Është investimi për shtyllën kurrizore të të gjithë sistemit elektroenergjitik shqiptar, pra do të jetë truri kontrollues që monitoron të gjithë flukset e energjisë në Shqipëri por dhe në rajon. Në terma realë, do të thotë se sistemi elektoenergjitik shqiptar, përsa i përket kësaj pjese bëhet i barabartë me të gjithë vendet europiane?, theksoi Gjiknuri.
Ministri nënvizoi se siç është ndërmarrë angazhimi, brenda vitit 2020, Shqipëria do të jetë plotësisht e integruar me rrjetin rajonal dhe me rrjetin europian të energjisë.
?Kjo qendër, ky tru elektronik i monitorimit të sistemit do të bëjë të mundur edhe zhvillimin e një tregu më likuid të energjisë elektrike. Do të bëjë të mundur menaxhimin e flukseve të investimeve private për të pasur një treg më të sigurtë por edhe shkëmbime më të mira me vendet fqinje duke kontribuar në sigurinë energjitike?, sqaroi ai.
Administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Z.Engjëll Zeqo tha se qendra dispeçer, momentalisht është vendosur provizorisht në nënstacionin Tirana 2 por me mbarimin e godinës e gjitha do të spostohet në këtë ambient të ri.
Ai sqaroi se ka aparatura të dedikuara për të bërë lidhjen dhe leximin e të gjitha të dhënave, monitorimin edhe të nënstacioneve të vendeve fqinjë çka ndikon tek pjesa e sigurisë së furnizimit.
Ndërtimi i qendrës së re dispeçer do të bëjë të mundur realizimin e një sistemi kontrolli dhe drejtimi të sistemit elektroenergjitik bazuar në teknologjinë bashkëkohorë, që është një nga faktorët kryesorë që garantojnë sigurinë e punës dhe shfrytëzimin optimal të sistemit tonë elektroenergjitik.
Ky projekt do të mundësojë përcaktimin e mënyrës së shfrytëzimit ekonomik dhe optimal të sistemit energjitik dhe drejtimit operativ të tij mbi bazën e planit të prodhimit dhe të shkëmbimit të energjisë. Ndërtimi i qendrës është i domosdoshëm për aktivitetin në sinkron me rrjetin europian të transmetimit (ENTSO-E), për rregullimin fuqi -frekuence dhe për t?ju përgjigjur kërkesave që lidhen me tregun rajonal të energjisë elektrike.
Pas një periudhe të gjatë bllokimi, projekti rinisi punën në dhjetorin e vitit 2014 dhe pritet të përfundojë plotësisht në vjeshtën e këtij viti. Ai parashikon vendosjen e sistemit SCADA/EMS; sistemin e telekomunikacionit dhe shtrimin e fibrave optike; adaptimin e impianteve që përfshijnë të gjitha objektet e prodhimit dhe transmetimit të energjisë, dhe nënstacionet e OSHEE-së. Elementi përmbyllës i projektit është ndërtimi i godinës së Qendrës së re Kombëtare Dispeçer dhe zyrave të Operatorit të Sistemit të Transmetimit.