Në etapën e tretë të garave me makina dhe motorra të Rally Albania, garuesit kanë lënë Peshkopinë për të shkuar në Orikum me një distancë prej 490 km. Dita pritet të jetë e gjatë për ta. Janë shpallur dhe rezultatet e para për etapën e tretë në të cilën garuesi çek Ondrej Klymciw kryeson në pjesën e ditës së parë.
Ai është shkëputur madje aq shumë prej garuesve të tjerë sa ka shijuar kafen e mëngjesit në qëndrën e fshatit Trebinjë, duke pritur të tjerët t`i bashkohen.
Nuk kanë munguar dhe incidentet ditën e djeshme në Peshkopi ku terreni që kanë zgjedhur garuesit ka qenë shumë i vështirë. Kështu, garuesi italian Giovanni Stigliano pësoi një aksident në afërsi të fshatit Selishtë.
Si pasojë italiani they 2 brinjë dhe dëmtoi këmbën. Ai iu nënshtrua një ndërhyrje të specializur mjekësore dhe konfirmohet, sot, që ai nuk ka pësuar asgjë të rëndë por që detyrohet të lërë garën përfundimisht. Ndërkohë garuesi tjetër po Italian, Luca Saporiti, dogji freksionin ndërsa hollandezi Robert Gleen dogji motorrin.
Një tjetër garues që ka lënë përfundimisht garën është hollandezi Gersom Velema si pasojë e një aksidenti të ndodhur në afërsi të fshatit Selishtë gjatë seksionit të parë të kronometruar.
E veçanta e etapës së dytë në Peshkopi ishte përshkrimi për herë të parë i Parkut Kombëtar të Lurës, futur në këtë edicion si pjesë e trajektores që kalohet në të.
Rally Albania në edicionin e 10 ka mbledhur bashkë 94 motorra dhe 30 makina sportive, të cilat ditën e dielë u nisën nga sheshi Nënë Tereza në Tiranë duke përshkruar të gjitha rrethinat e saj për të vazhduar më pas në Peshkopi e në etapën e tretë të tyre i janë drejtuar Orikumit.