Pak pas mesnatës së 8 Qershorit, kyeministri Thaçi shpalli fitoren nga Prishtina, ende pa përfunduar zyrtarisht procesi i numërimit, duke i cilësuar zgjedhjet të lira dhe se "Kosova duhet të ndihet krenare". Kreu i PDK i'u drejtua qytetarëve, duke i falenderuar për mbështetjen dhe për besimin e dhënë. Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje pranoi fitoren e PDK-së, por tha se Thaçi fitoi si rezultat i dobësisë së partisë së Isa Mustafës.
Shqiptarja.com dhe televizoni A1 Report ndoqën hap pas hapi maratonën e procesit zgjedhor prej orës 07:00 të së dielës e deri në orët e para të mëngjesit të së hënës, për rreth 20 orë transmetim online dhe raportimeve direkte të gazetares Joniada Koçi nga qendrat e votimeve në Prishtinë. Procesi që nisi prej orës 07:00 dhe përfundoi në orën 19:00 ka qenë i rregullt, me përjashtim të disa incidenteve të vogla. Kjo gjë konfirmohet dhe nga Prokurori i Shtetit, i cili pohoi se nuk ka patur parregullsi, dhe në qendrën e përfolur të Skënderajt nuk u mbushën kutitë, siç u pretendua nga organizata joqeveritare Demokracia në Veprim.