TIRANË - Reshjet e shumta të shiut gjatë orëve të vona të natës së 15 tetorit, duke u gdhirë dita e sotme kanë fryrë lumin e Tiranës, i cili ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje në pjesën më të madhe të minibashkisë nr 11 dhe në zonat në kufi me të, në lagjet periferike të kryeqytetit.
Kryetari i bashkisë Lulzim Basha e cilësoi situatën si emergjente dhe shtoi se një fryrje e tillë e lumit në këto parametra ndodh një herë në 20 vjet. Sipas tij janë mbi 1000 banesa të përmbytura dhe 6000 qytetarë që gjenden në situatë emergjente. Për Bashën gjëndja është e jashtëzakonshme dhe kërkohet një zgjidhje e menjëhershme.
Telefonata të shumta të bëra gjatë natës në A1 Report, kanë raportuar për situata të vështira në disa zona të kryeqytetit dhe kanë kërkuar ndihmë për të sensibilizuar situatën. Përmbytje raportohen tek Fusha e Aviacionit, në Paskuqan, në Laprakë, tek ura e Kamzës, Vaqarr, në autostradën Tiranë-Durrës, Bregu i Lumit.
Për të vëzhguar nga afër situatën, sot në mëngjes tek Ura e Kamzës ka shkuar edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, kryebashkiaku, Lulzim Basha, Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ai i Emergjencave, Alfred Olli.