TIRANË - Prodhuesi i kartave të identitetit dhe pasaportave në Shqipëri "Aleat" ka implementuar në sistem kontrollin e fytyrës. Sistemi i ri është prezantuar sot nga "Aleat" në prani të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
"Shqipëria vendi i parë në Evropë që prodhon pasaporta me këto parametra. Kjo është rruga për të shkuar drejt Evropës, nëpërmjet standardeve dhe vlerave, ky standard është deçiziv drejt BE-së"- tha ministri Tahiri.
Futja e këtij elementi në sistemin e dokumenteve të identitetit përfshin migrimin e të dhënave ekzistuese të fytyrës tek sistemi i njohjes së fytyrës. Ky projekt për momentin është në fazën e migrimit të të dhënave ekzistuese të sistemit, që është parashikuar të përfundojë brenda muajit Qershor 2014.
"Aleat" do të implementojë tre sisteme të reja ku më i spikaturi është kontrolli i fytyrës
"Pas 5 vitesh të suksesshme të aktivitetit, "Aleat" ka arritur me qeverinë një marrëveshje për të vazhduar projektin për 10 vite të tjera për të prodhuar dokumentet e identifikimit"- tha përfaqësuesi i "Aleat" duke sqaruar procesin e ri se "Kontrolli i fotografisë e konverton imazhin në të dhënë dixhitale dhe e kontrollon me të dhënat e tjera. Mund të përdoren në kontrollin në kufi dhe për fushën kriminale dhe fusha të tjera që kërkojnë siguri. Në të gjithë Shqipërinë kemi zyra të cilat gjenden pranë policisë dhe bashkësisë për të ndihmuar qytetarët të tërheqin dokumente biometrike, gjatë këtij viti janë implementuar edhe në ambasada të ndryshme në Shqipëri."