BUTRINT- Aksioni i ministrisë së Shëndetësisë për dezinfektimin e vijës bregdetare ka nisur nga Parku Kombëtar i Butrintit në Sarandë, teksa zona e mbrojtur e lagunës së këtij parku i është nënshtruar këtij procesi.
Punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë kanë vijuar gjatë ditë sotme procesin e dizinfektimit me agjente biologjikë, që ndalojnë rritjen e larvave dhe nuk dëmtojnë biodiversitetin.
Specialistët po përdorin pompa me mjegull të ftohtë për dezinfektimin, ndërsa procesi do të kryet çdo dy javë në 6 muaj.
Ndërkohe zv.ministrja e Shëndetësisë, Milva Ikonomi, jep më shumë detaje lidhur me këtë aksion dhe impaktin e tij pozitiv.
"Qeveria e mori përsipër këtë gjë për ta bërë, ndërkohë që e fokusoi kryesisht në zonat ku janë ligatinat, sepse ato kanë më shumë influencë në shëndetin publik. Dhe e fokusoi në zonat, ku gjatë periudhës së verës grumbullohen më shumë turistë në vendin tonë. Kjo sjell më shumë kujdes për shëndetin publik, sjell gjithashtu më shumë shanse për të qenë i mbrojtur nga infektimet e ndryshme që vijnë nga malaria, ethet e Nilit, apo ethet e verdha"-sqaroi Milva Ikonomi
Ky program do të shtrihet edhe në Vlorë, Orikum, Divjakë, Gjirin e Lalzit dhe Lezhë, ndërsa aplikimi do të kryet nga toka dhe ajri. I gjithë procesi do monitorohet nga ekspertët për efikasitetin.