TIRANE- Ndërkohë që përplasja mes Presidentit Bujar Nishani e mazhorancës qeverisëse po ngjitet në nivele të pamenduara më parë, pak kush e di se kreu i shtetit kohë më parë është përgatitur dy herë të japë dorëheqjen. Por në të dy rastet ka kthyer vendimin mbrapsht, pa e hedhur në publik, duke shtuar shumë hamendjet mbi arsyet e vërteta të kthimit të vendimit për dorëheqje të parevokueshme nga posti i Presidentit. Burimet brenda Presidencës, por dhe brenda selisë blu, bëjnë me dije se arsyetimi i Nishanit për të dhënë dorëheqjen nga posti ka qënë: Për arësye personale. Pa përmendur shëndetin që sipas burimit po vjen në një përmirësim gradual, por duke nënkuptuar presionin e lartë nga të dyja palët e politikës.
Mësohet se rasti më flagrant kur Nishani ka tentuar të japë dorëheqjen ka qënë muaji mars, teksa tensioni mes mazhorancës dhe numrit një të shtetit ka qënë në nivelin më të lartë, ku reforma në drejtësi është cilësuar dhe nga BE, përmes zyrtarëve të lartë dhe nga komisioneri Fyle si pengesa kryesore për marrjen e statusit të kandidatit. Përplasjet me ministrinë e Mbrojtjes, sidomos pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe debati për largimin e Gërvenit nga NATO, e vijuar më pas me përplasje të tjera për kreun SHISH, atë të ILDKP, për kompetencat e Presidentit, mësohet se ishte dhe pika e kthesës ku Nishani tregoi se s'do japë dorëheqjen, duke refuzuar gjithçka që vinte nga mazhoranca.
Burimet thonë se ka qënë ish-kryeministri Sali Berisha njeriu që ka bllokuar dorëheqjen e kreut të shtetit në të dyja rastet në periudhën shkurt-mars të këtij viti, me argument balancimin e pushteteve e mbrojtjen e institucioneve të pavarura, pasi nga Presidenti varen KLD dhe gjithë gjyqësori deri te Kushtetuesja, kreu i SHISH, Prokurori i Përgjithshëm, Ushtria, ku përmes autoritetit apo dhe bllokimit ushtron ndikimin e tij, duke i dhënë dimension pushteti opozitës së djathtë. Dhe për të pasur në dorë këtë mekanizëm, Berisha mësohet se nuk e ka lejuar dorëheqjen e Nishanit dhe për pasojë ka krijuar shumë probleme për qeverisjen e majtë dhe kryeministrin Edi Rama.