TIRANE - Rikthehet çështja e "21 Janarit", ku humbën jetën 4 persona. Këtë herë është Policia e Shtetit që ka hapur një hetim për efektivët e forcave speciale që ishin pjesë e strategjisë së uniformave blu për të administruar protestën. Lajmi është bërë i ditur nga burime të Policisë së Shtetit. Hetimet janë duke u ndjekur nga Drejtoria e Standardeve Profesionale. Hetimi që po bëhet është administrativ për të gjetur shkaqet dhe përgjegjësit e ngjarjeve të asaj dite. Mësohet se janë 36 ish-efektivë të forcave speciale që kanë dëshmuar këto ditë. Ndërkaq, seancat e djeshme kanë vazhduar për rreth 5 orë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Nëse gjatë këtij hetimit do të gjenden vepra penale, atëherë do kalohen për kompetencë të SHKB-së dhe prokurorisë.
HETIMI PËR SPECIALËT
Protesta e "21 Janarit" dhe vrasjet që e pësuan atë janë sërish në fokus të hetimeve, këtë radhë për të verifikuar veprimet e forcave të policisë në raport me ligjin, gjatë zhvillimit të saj. Pikërisht gjatë ditës së djeshme janë pyetur efektivë specialë të Policisë së Tiranës, që u angazhuan për të mbrojtur ligjin, ditën e protestës. Është Drejtoria e Standardeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë e cila, që prej dy muajsh, e ka nisur hetimin administrativ ndaj forcave policore që menaxhuan protestën, hetim që synon verifikimin e veprimeve të policisë, zbatimin e rregullave prej saj ditën e protestës. Qëllimi i hetimit është nxjerrja e mangësive, çfarë ishte e planifikuar dhe çfarë nuk ishte më 21 janar. Në hetim janë përfshirë jo vetë policët specialë, por dhe ato të Komisariateve të Tiranës, ata që kanë ardhur nga rrethet atë ditë.
RAPORTI ME SHKELJET
Në përfundim të hetimit nga Drejtoria e Standardeve do të përpilohet një raport me të gjitha shkeljet e mangësitë që çuan në acarimin e situatës në 21 janar dhe natyrisht, në vrasjet e katër protestuesve të pafajshëm. Në raport do të evidentohen shkeljet për çdo punonjës dhe përgjegjësia do të jetë personale; kundrejt shkeljeve, do të merren masa deri në përjashtimin nga radhët e policisë. Nga ana tjetër, Drejtorisë së Standardeve i është vënë në dispozicion nga seksioni i operacioneve speciale edhe plani i masave që nga fillimi i protestës së '21 Janarit' dhe deri në përfundimin e saj.
DITA E 21 JANARIT
Më 21 janar 2011 u vranë tre demonstrues, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Pak ditë më vonë, ndërroi jetë në spital edhe Aleks Nika, i cili kishte marrë një plumb në kokë. Rreth orës 14:00,të asaj dite, protestuesit përshkuan rrugën nga sheshi "Skënderbej" deri para Kryeministrisë. Kur mbërritën këtu, turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të kohës, Sali Berisha, duke u përplasur me kordonët e policisë. Ngjarja u filmua nga dhjetëra stacione televizive, të cilët, duke pasqyruar me profesionalizëm, pse jo dhe me guxim, detajet më të imta të zhvillimeve të saj, ndihmuan jo pak për hetimet që u hapën nga Policia dhe Prokuroria. Ndërkaq, për këtë ngjarje u bë edhe një raport nga FBI-ja.