TIRANE- Zyrtarët e lartë që nuk respektojnë afatet për deklarimin e pasurive rrezikojnë deri në 6 muaj burg. Komisioni i Ligjeve miratoi dje disa ndryshime në Kodin Penal ku një ndër to prekte ligjin për Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Ky propozim i bërë në Kodin Penal ishte i propozuar nga kreu i ILDKP-së, Shkëlqim Ganaj, dhe deputetët e mazhorancës e futën si dispozitë të re në Kod. Konkretisht, sipas kësaj dispozite parashikohet që të gjithë zyrtarët e lartë që nuk bëjnë deklarimin e pasurisë në kohë do të dënohen nga gjobë deri në 6 muaj burg. Sipas kësaj dispozite, gjoba varjon nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë dhe dënimi maksimal, ai me burg nuk shkon më shumë se 6 muaj vetëm me faktin se mund të vonohet deklarimi i pasurisë.
Mbledhja
Mbledhja e djeshme e Komisionit të Ligjeve u shoqërua nga një debat ndërmjet deputetëve dhe përfaqësuesve të qeverisë. Debati lindi në momentin kur po miratoheshin ndryshimet që ashpërsonin dënimin për personat që shesin karta telefonike SIM në mënyrë të paautorizuar. I pari që e nisi këtë debat ishte kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i cili i theksoi dy zëvendësministrave, Isaraj i Drejtësisë dhe Mustafaraj i Brendshëm, se propozimet e ardhura merreshin vetëm me shitësit ambulant dhe jo me kompanitë që shkelin ligjin. "Duhet të dënohet kompania. Ai që blen 10 karta për të fituar 100 lek e çojmë në burg, ç'faj ka ai kur kompania ia jep",- tha Xhafaj. Por mbledhja më pas kaloi në një debat batutash. Zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, mori si shembull "Qanijen" si shitëse ambulante në mënyrë që të ishte sa më i qartë në shprehi.
"E zëmë se Qanija shet karta SIM. Ai ia blenë kompanisë dhe i ndajnë 4 mijë lekë kompania dhe 1 mijë lek Qanija. Kur ndodh shpërthimi me tritol, rezulton se karta është në emër të Qanijes pasi ka blerë 100 karta dhe të gjitha janë të regjistruara në emër të saj dhe ne nuk e gjejmë dot se kush e ka bërë shkeljen",- tha Isaraj. Në vijim të shembullit të "Qanijes" vazhdoi shembullin edhe deputeti Armando Subashi i cili tha: "Në rastin konkret "Qanija" ka kontratë shitje se ajo është në marrëdhënie kontraktuale me kompaninë dhe deri këtu është në rregull "Qanija" me ligjin".
Por në fund të diskutimeve, kjo pikë u shty për një mbledhje tjetër pasi debati për dënimin e kompanive u ashpërsua disi, sado që batutat për "Qanijen" e qetësuan pak situatë. Mundësinë ligjore për të dënuar kompanitë celulare të cilat shesin karta SIM nëpërmjet shitësve të paautorizuar, e mbështetit zëvendësministri i Brendshëm, Ilirjan Mustafaraj. "Ne ku ta gjejmë mjetin ligjor për të shkuar tek kompania se na e kanë sjellë në majë të hundës",- tha ai, por më pas u kërkua verifikimi me legjislacionin për kompanitë celulare, në vend që të dilnin në një vendim përfundimtar.