Korce- Tre persona kanë humbur jetën në një aksident tragjik në aksin Gramsh-Moglicë. Sipas policisë, 2 punëtorë nga Kavaja dhe një inxhinier italian po punonin për ndërtimin e një HECi në këtë zonë, kur janë zënë poshtë nga një masiv shkëmbor. Për pasojë dy shqiptarët Sokol Elmazi 35 vjeç dhe Oltion Kola 21 vjeç, të dy nga Kavaja, kanë humbur jetën. Nga plagët e rënda ka ndërruar jetë ndërsa po shkonte në spitalin e Korçës edhe inxhinieri italian, identiteti i të cilit ende nuk dihet. Tre persona të tjerë janë plagosur, por janë jashtë rrezikut për jetën: Altin Elmazi, Bardhi Seitllari, Albert Bisha, të cilët po kurohen në spitalin e Gramshit. Mësohet se punëtorët po gërmonin me eskavator, kur është shkëputur masivi shkëmbor, duke i zënë poshtë. Shoferi i ambulancës që ka sjellë në spitalin e Korçës inxhinierin italian tregoi për Ora News se ngjarja ka ndodhur rreth ores 18:00, në kohën kur punonjesit ishin duke punuar. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbulimin e shkaqeve, ndërsa po merren në pyetje punëtorët e tjerë që kanë qenë të pranishëm në momentet e tragjedisë. Kjo nuk është hera e parë që kjo rrugë ka sjellë probleme të tilla, pasi ky aks ka pasur shembje te shpeshta duke sjellë edhe bllokimin e banorëve.