TIRANE- Për herë të parë është ngritur sot në foltoren e Kuvendit, deputeti i PS-së Koço Kokëdhima, i cili i ka kthyer përgjigje akuzave të ish-Kryeministrit Berisha, që pothuajse gjatë gjithë seancës së sotme, ka akuzuar Kryeministrin për afera me deputetin biznesmen Kokëdhima.
"Janë 20 vjet që jam përballë Berisha dhe Nano" ka kujtuar Kokëdhima, ndërsa me një ton të ashpër, i ka cilësuar të gjitha shpifje edhe për rastin e një ndërtimi të ngritur në Qeparo mbi të cilin gazeta "RD" dhe "PD" ka filluar një fushatë kundër tij, duke pretenduar që ndërtimi është prona e tij dhe kryeministrit Rama.
Kokëdhima ka shpërthyer në akuza të drejtpërdrejta ndaj Berishës, duke ngritur deri edhe gishtin nga foltorja e duke i bërë të qartë se nuk ka asnjë lidhje me pronat apo pallatet që i përmenden në bregdet. Por, këtu debati nuk ka përfunduar, sepse Berisha është ringritur me akuza shtesë dhe Kokëdhima po ashtu, me një sulm të ri ndaj Berishës.
Por debatet janë ndezur edhe më tej, kur ish-kryeministri Berisha tha se "nëse banorëve në Himarë e Xarë do t'u preket një fije flokut, do të mbajë përgjegjësi Rama e Kokëdhima".
Në replikë, deputeti Kokëdhima i tha Berishës të mos bëjë shantazhe, duke u shprehur se "vetë ish-kryeministri Berisha do të mbajë përgjegjësi për abuzimet me pasuritë e shqiptarëve". Debatet janë ndalur tek situata e krijuar me Albpetrol, ndërsa ka pasur akuza ndaj të dyja palët për abuzime.
REPLIKAT BERISHA - KOKEDHIMA
Menjëherë pas Subashit, në foltore është ringjitur ish-Kryeministri Berisha duke përsëritur akuzat ndaj Kryeministrit Rama dhe biznesmenit Kokëdhima për "kështjella" të ngritura në fshatrat e bregdetit dhe nxjerr fitime nga prishjet në bregdet, ç'ka ka ngacmuar deputetin Kokëdhima dhe e ka detyruar atë të replikojë për herë të parë me të. Ja replikat ndërmjet tyre:
KOKËDHIMA: SHPIFJET QE BERISHA I SAJOI, S'KANE LIDHJE ME MUA
Shpifjen që e sajoi vetë në mëngjes, po na e nxjerr si një burim jashtë vetes. Vite me radhë ky zotëri e ka përdorur për të përbaltur ata që ka përballë. Qindra shpifje dhe përgojime ka bërë për punën time dhe të kompanive të mia. Sot përmend gjëra me të cilat s'kam asnjë lidhje. Në bregdet jetojnë njerëzit e mi, kushurinjtë, vëllezërit, njerëz të mbiemrit tim. Nuk them as që më dëgjojnë, as që nuk më dëgjojnë, se ata bëjnë jetën e tyre.
Kanë shpikur lloj-lloj gjerash ndaj meje, por asgjë nuk kanë ndjekur në rrugë ligjore; nuk keni fituar asnjë proces ligjor ndaj meje. Unë jam bazuar tek ligji e ju tek shpifjet. Më parë kjo histori me shqetësonte, pasi nëna ime është në moshë të thyer dhe sa herë shihte televizorin, trembej nga Saliu, se e mendonte si Enveri që të bën gjëmën. Dhe nuk e dinte se si ishin shprehjet e këtij personi. Dhe sot që më ndjek, i them mos ki frikë nga shpifjet e Saliut, por jeto e qetë, se populli ka shpëtuar prej tij. E "bathorizuat" gjithë bregdetin e vendit. Ju jeni përgjegjës për kontrollin dhe zhvillimin e territorit. Qeveria jonë nuk ka një fushatë prishjesh dhe...