TIRANE - Partia Demokratike ka denoncuar heqjen e kompetencës së Presidentit në emërimin e kreut të ILDKP. Deputeti Oerd Bylykbashi tha se sulmi i ri ndaj Presidentit, bëhet sipas tij nga dyshja Rama-Meta për të ruajtur pasuritë e tyre.
"Mazhoranca po i heq një kompetencë tjetër Presidentit të Republikës duke i marrë atij të drejtën e propozimit të kandidaturave për kreun e ILDKP-së. Me heqjen e kompetencës së Presidentit, dyshja Rama-Meta zhbën përfundimisht pavarësinë e ILDKP-së. Pavarësia e këtij institucioni është themelore për besueshmërinë e luftës kundër korrupsionit të qeveritarëve. Me ILDKP-në nën kontrollin e kësaj dysheje, antikorrupsioni i ILDKP-së kthehet vetëm në një farsë të turpshme. Që këtej e tutje, ILDKP-ja do certifikojë si noter i bindur pasuritë e qeveritarëve të rinj dhe do të përdoret si kamxhik politik ndaj kujtdo që u del kundër. Partia Demokratike denoncon këtë sulm të ri hakmarrës ndaj Kreut të Shtetit. Ky sulm është në vazhdën e sulmit ndaj kompetencave të Presidentit dhe pavarësisë së institucioneve për të cilat ai është garant. Mazhoranca po përgatit heqjen e kompetencave të tij si Komandant i Përgjithshëm." tha Bylykbashi
Ndër të tjera deputeti Bylykbashi dënoi sipas tij rrëzimin e propozimeve të Presidentit për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, duke thënë se sipas tij kërkohet kontrolli politik ndaj këtij institucioni.
"Gjithashtu, mazhoranca ka zhbërë de facto kompetencën e propozimit te kandidaturave për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë duke i rrëzuar ato vetëm politikisht dhe pa asnjë arsye ligjore. Qëllimi i vetëm është kontrolli politik i Gjykatës së Lartë nëpërmjet detyrimit të Presidentit të dekretojë vetëm njerëzit e dyshes Rama-Meta, që kjo gjykatë të mbyllë aferat e tyre." përfundoi deputeti i PD