PRISHTINË - Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim projektligjin për komisionarin e Kuvendit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Policinë e Kosovës.
Projektligji është përkrahur nga deputetët e të gjitha partive dhe e kanë konsideruar të rëndësishëm dhe të domosdoshëm, shkruan Kosovapress.
Ahmet Isufi, kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, u shpreh se ky projektligj ka gjetur mbështetjen si të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që merren me sigurinë. Këtë projektligj e ka përkrahur edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Deputeti i saj, Rexhep Selimi, u shpreh se ky projektligj që nesër do të jetë ligj, është një shembull për punën e mirë që është bërë. Sipas tij, ky komision mbulon një fushë shumë të rëndësishme deri tani të zbrazët të mbrojtjes së ushtarakëve dhe policëve në kryerjen e detyrave të tyre të përditshme".