I akuzuari si organizator i rekrutimit të xhihadistëve shqiptarë për në Siri, Gerti Pashja, del sot para togave të zeza. Rreth orës 08.30 Pashja do të paraqitet në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku do të njihet me masën e sigurisë "arrest me burg" të vendosur në mungesë ndaj tij, menjëherë pas arrestimit në Tiranë të 8 personave të tjerë të dyshuar për terrorizëm, pjesë e së njëjtës celulë, ku bën pjesë edhe 30-vjeçari.
Gerti Pashja u vu në pranga dy ditë më parë në Rinas menjëherë pas deportimit të tij nga Turqia. Ndërkaq mbetet e paqartë ende se si u soll në Shqipëri 30 vjeçari, i cili vetëm pak ditë më parë deklaroi në Ora News se nuk do të kthehej në vendin e tij, për sa kohë është akuzuar padrejtësisht.
Ai hodhi poshtë të gjitha akuzat, por ndërkohë pranoi se është për shtetin e Sherihatit, apo shtetin islamik. Gerti Pashja deklaroi se nuk ka çuar asnjë person në Siri, por nga ana tjetër pranoi se në Siri po bëhet Xhihad, apo luftë e shenjtë.