SHKODER - Artizanët e punimit me dru të varkave të famshme veneciane kanë demonstruar në Shkodër, mënyrën se si punohen këto varka, ndërtimin e tyre, por edhe mbajtjen gjallë të këtij profesioni.
Qytetarët e Shkodres kanë pasur rastin të njihen me mënyrën sesi ndërtohen varkat e famshme veneciane të njohura ndryshe si gondola e pse jo në një të ardhme të afërt t'i shohin duke u përdorur edhe në liqenin e Shkodrës.
Sipas përfaqësuesve të pushtetit lokal ky shkëmbim eksperiencash është mjaft i rëndësishëm për metropolin verior.
Z.Bardhyl Lohja, kryetar i Këshillit Bashkiak Shkodër, tha: "Sipas venecianëve, lidhjet e Shkodrës dhe Venecias datojnë vite më parë dhe ato janë dëshmi e një kulture që ka bashkëvepruar mes këtyre dy qyteteve."
Nga ana e saj znj. Clara Peranetti, përfaqësuesja e rajonit të Venecias u shpreh: "Jemi në Shkodër pasi ky qytet ka qënë historikisht një nga aleatët besnikë të Venecias dhe ka patur shkëmbime të shumta tregtare ndërsa në kohërat e pushtimit turk, shumë shkodranë emigruan në Venecia. Për këtë shkak statuja e Skëndërbeut është në një nga sheshet kryesore të Venecias.
Ky është një projekt i rëndësishëm pasi kemi ruajtur memorien e mjeteve lundruese dhe mbarëvajtjene e lundrimit në vite, ndërsa kemi realizuar filmime të lidhura me artizanët veçanërisht mbi gondolat dhe të tjera mjete lundruese tradicionale veneciane, të cilat po i paraqesim këtu."
Bashkëpunimi mes bashkisë Shkoder dhe rajonit të Venecias ka si qëllim këmbimin e eksperiencave në këtë fushë. Përveç shkëmbimit të përvojave, nisma synon ngritjen e një muzeu të varkave tradicionale. Aktualisht në Venecia janë rreth 500 varka druri ose siç quhen gondola dhe janë kryesisht për përdorim turistik.