Shembet hoteli buzë detit në Dhërmi, 5-katëshi pa leje u "rrafshua" me 130 kg eksploziv

Ora News Lajme 2015-08-22

Views 14

Janë dashur 130 kg eksploziv i llojit C4 , nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, që ky i fundit të shembte një hotel 5-katësh, në Dhërmi. INUK ka paralajmëruar dy ditë më parë pronarët që të lëviznin materialet e objektit, ndërsa aksioni për shembjen e ndërtesës është finalizuar të dielën rreth orës 15.00, përmes një shpërthimi të kontrolluar.
Sakaq një re e madhë pluhuri ka mbuluar të gjithë zonën përreth, nga ku u shemb hoteli, 5-katësh. Ndërkohë kreu i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Zyhdi Dajti i pranishëm në momentin e shpërthimit, është shprehur se subjekti në fjalë nuk ka patur dokumentacion pronësie, ndërsa shtoi se nuk do të lejohen ndërtime në brezin e parë të rërës, pa leje dhe pa dokumente pronësie.
Hoteli 5-katësh i përkiste kryeplakut të fshatit të Dhërmiut, Gjikë Stramarku, i cili akuzohet nga agjensia e kthimit dhe kompensimit të pronave se në bashkëpunim me ish- regjistruesin e hipotekës së Vlorës, Eduart Dervishi, ka tjetërsuar pronën publike, duke përfituar 1600 metra katrorë plazh në vijën bregdetare të kësaj zone.
INUK ka vijuar aksionin e tij edhe me 5 objekte të tjera pa leje, në Dhërmi. Ndërkaq prishja e ndërtesës me shpërthim të komanduar nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në Dhërmi të Vlorës nuk është rasti i parë.
INUK më herët ka prishur ndërtime në Tiranë, Vlorë e Mallakastër, duke përdoruar eksplozivin për shembjen e tyre.

Share This Video


Download

  
Report form