TIRANE- Ministria e Shëndetësisë do të transformojë rrënjësisht mënyrën se si bëhet sterilizimi i instrumenteve kirurgjikale të sallave te operacionit. Falë një bashkëpunimi me Universitetin e Perugias, po shikohet mundësia që sterilizimi të bëhet jashtë sallave të operacionit dhe mjekëve t'u çohet seti i plotë i sterilizuar, duke garantuar cilësi më të madhe të ofrimit të shërbimit edhe në sallën e operacionit. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka ardhur koha për një rinovim total të të gjithë parkut të setit kirurgjikal të spitaleve tona publike.
Gjatë një konferencë të përbashkët të zhvilluar në ministrinë e Shëndetësisë, ekspertët e universitetit të Perugias, kanë prezantuar një studim të detajuar për situatën e sallave të operacionit në vendin tonë dhe përfitimet e përdorimit të tyre me efektivitet.
"Ne kemi marrë në studim procesin e planifikimit të operacioneve dhe procesin e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale. Duke përmirësuar mënyrën se si planifikohen operacionet, përmirësohet edhe mënyra se si përdoren sallat e operacionit dhe duke përmirësuar këtë gjë, rritet numri i ndërhyrjeve që kryhen dhe reduktohen kostot e përdorimit të tyre. Një sterilizim më i mirë i instrumenteve kirurgjikale ul numrin e infeksioneve jo vetëm në sallën e operacionit por edhe ne ata pas operatore, dukë përmirësuar kështu shërbimin që i jepet pacientit", tha Dott.Ing. Vanessa Rossi, Universiteti i studimeve të Perugias.
Bashkëpunimi mes ministrisë së Shëndetësisë dhe Universitetit të Perugias në Itali, mbështetet në Strategjinë e Sistemit Shëndetësor, dhe synon të ofrojë një shërbim të specializuar mbështetës të sterilizimit të instrumenteve mjekësorë për sallat e operacionit.