TIRANË - Studioja holandeze, 'Casanova+Hernandez' është shpallur fituese në konkursin ndërkombëtar për restaurimin e Fototekës "Marubi". Në fazën finale të konkursit restaurimi dhe muzealizimi i Fototekës Kombëtare "Marubi", merrnin pjesë pesë studio nga të cilat dy nga Shqipëria ( 'Atelier4' dhe 'Lorenco&CO' ), një nga Gjermania ( 'Zvi Hecker' ), një nga Italia ( 'Testa' ) dhe një nga Holanda ( 'Casanova+Hernandez' ).
Në prezantimin e fituesit, anëtari i jurisë, Drejtori i Qendrës Arkitekturore në Vjenë Dietmar Steiner, tha:
"Nuk prisja që një projekt kaq i vogël të kishte një gamë kaq të gjerë zgjidhjesh nga arkitektësh. Kjo është provë e konkurrimit arkitekturor për të gjetur një përzgjedhje."
Në konkursin ndërkombëtar të projektimit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë "Marubi", aplikuan gjithsej 26 studio, ndërsa faza e parë, e mbyllur më 28 shkurt, me përzgjodhi listën me 5 studiot fituese.
Fototeka "Marubi" pritet të jetë pjesë e një itinerari turistik të vendeve të Adriatikut, ku do të përfshihen objektet e trashëgimisë kulturore të përbashkët, që do të rikonstruktohen dhe pajisen për t'u bërë të arritshme nga vizitorët.
Ndërkohë më parë kryeministri Edi Rama kishte shkruar në Facebook në lidhje me konkursin e fototekës "Marubi":
"Konkursi ndërkombëtar për muzeun Marubi në Shkodër. Më në fund thesari i Marubëve do dalë nga burgu i harresës e lagështirës", shkruan kryeministri Edi Rama në Facebook, pak para se të nisë edhe prezantimi publik i projekteve për këtë muze.
Duke folur në këtë aktivitet, Rama tha se, këtë thesar duhet që ta heqim nga ai vend i papërshtatshëm. "Ta kalojnë thesarin nga vendi krejt i papërshtatshëm në vendin që meriton", deklaroi kryeministri.
Konkursi për Muzeun "Marubi", ka nisur në orët e paradites dhe fjalën e hapjes e mbajti ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cila tha se, pasuria e dinastisë Marubi është pasuri për të gjithë.
ORA 12:57 RAMA: KËTË THESAR TA ÇOJMË ATJE KU E KA VENDIN
Kryeministri Edi Rama, duke folur në konkursin për muzeun "Marubi" tha se, këtë thesar duhet që ta heqim nga ai vend i papërshtatshëm. "Me pasion dhe me vullnet që na tregoi gjendjen e mjeruar që ishin lënë gjithë pjesët e çmuara të këtij thesari, veç vetëm nga përpjekjet individuale të disa personave. Ta kalojnë thesarin nga vendi krejt i papërshtatshëm në vendin që meriton", deklaroi kryeministri.
"Në një hapësirë të projektuar nga një prej figurave më të shkëlqyera Kolë Idromeno. Përgëzoj Ministren e Kulturës, për mbërritjen kaq shpejt në këtë stacion. E kishim parashikuar brenda 300 ditëve të para të qeverisë. Donim të garantonim këtë cilësi, dhe ja arritëm", theksoi kryeministri Edi Rama në fjalën e tij.
Sipas tij, "e dyta për inventarizimin e thesareve tona të lëna rrugëve. Për të cilat sot e gjithë ditën, nuk kemi inventar, nuk dimë ekzaktësisht se sa vlera materiale disponojmë në fushat e trashëgimisë kulturore".