TIRANE- Në një kohë kur ministria e Mbrojtjes ka kallëzuar në prokurorinë e Tiranës ish-ministrin Arben Imami dhe ish-drejtuesin e Shërbimit Informativ Ushtarak, Ylli Zyla, për disa akuza në blerjen e një paisje përgjimi, në prokurori gjatë ditës së djeshme është marrë në pyetje për rreth 3 orë një tjetër oficer i lartë i ushtrisë.
Komandanti i Brigadës Logjistike Syrja Gjoka, u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve lidhur me një kallëzim penal që ka depozituar kundër tij, policia ushtarake. Mësohet se Syrja Gjoka është vënë nën hetim nga prokuroria, për akuzën e "Vjedhjes" dhe "Shpërdorimit të detyrës" në tre episode.
Hetimet ndaj Gjokës janë duke u zhvilluar nga seksioni ushtarak në prokurorinë e Tiranës edhe për akuzën e "Falsifikimit të dokumentave". Në një raport auditi të kryer nga Policia Ushtarake, konstatohet se gjenerali Gjoka ka kryer abuzime që lidhen me dietat financiare, deri tek shkeljet e detyrës në procesim e emërimeve dhe dhënies së gradave. Burimet thonë se gjenerali dyshohet të ketë shpërdoruar detyrën, referuar materialit kallëzues që e implikon atë në prishjen e disa objekteve ushtarake, vlera e dëmit të të cilave kap shumën e 14 milionë e 302 mijë lekë të reja, dëmtime që kanë ndodhur konkretisht në repartin e Kuçovës.
Kjo dosje aktualisht është nën hetim nga prokuroria e Beratit. Ndërkohë që materiali tjetër kallzues, po për shpërdorimin e detyrës hedh dyshime mbi gjeneralin në procesin e emërimeve dhe gradimeve në brigadën logjistike, të cilat dyshohet të jenë bërë në kundërshtim me urdhërin e ministrit të Mbrojtjes për politikat dhe rekrutimin e ushtarëve profesionistë në FA.