A1 Report - Plani rregullues, 730 mln lekë 26 bashkive, i bashkohen 5 të djathta

Report TV 2015-08-22

Views 1

TIRANE - 5 bashki të drejtuara nga demokratët ende pa u zyrtarizuar kanë nisur bashkëpunimin me qeverinë socialiste. Arsyeja e këtij bashkëpunimi në pamje të parë si i vështirë është plani rregullues i qyteteve ku ata drejtojnë.

Ky fakt konfirmohet për A1 Report nga 5 kryetarët e bashkive të djathta që janë pjesë e fondin e posaçëm të miratuar nga qeveria për rishikimin e planeve urbanistike në 26 bashki të reja. Drejtuesit e rinj vendor konfirmojnë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me qeverinë e majtë në mënyrë që plani rregullues i njësive që drejtojnë tu shërbejë drejtpërdrejt qyteteve dhe banorëve të tyre.

Pjesë e kësaj iniciative janë 21 bashki që drejtohen nga të majtët dhe 5 nga e djathta. Kryetarët e djathtë të bashkive të Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Pogradecit dhe Vorës kanë dhënë tashëm dakordësinë e tyre hartimin, miratimin dhe realizimin e planeve të reja të rregullimit dhe ky vendim ka një arsye të justifikuar që është interesi i qytetarëve të zonave të tyre.

Kryetarët e rinj të bashkive thonë se bashkëpunimi do të jetë në çdo hap që do hidhet për realizimin e planit rregullues, ndërsa roli i tyre sipas marrëveshjes do të jetë vendimtar për miratimin e planit rregullues.

Mësohet se marrëveshja parashikon që qeveria, përkatësisht Ministria e Zhvillimit Urban të kontraktojë kompanitë përkatëse për planet rregulluese e më pas projekti do të kalojë për konsultim dhe verifikim nga ekipet përkatëse të bashkive ndërsa kryetarët e kanë fjalën finale në këtë proces.

Pjesë e këtij vendimi janë bashkitë Dibër, Durrës, Konispol Krujë Gjirokastër, Kurbin, Korçë, Librazhd, Kukës, Përrenjas, Lezhë, Pogradec, Shkodër, Poliçan, Tiranë, Rrogozhinë, Vlorë, Sarandë, Cërrik Shijak, Divjakë, Skrapar, Himarë, Urë-vajgurore, Kavajë.

Me miratimin e fondit të posaçëm nga qeveria për rishikimin e planeve, parashikohet që të pezullohen lejet e ndërtimit deri në daljen e planit të ri rregullues. Fondi prej 200 milionë lekësh për përballimin e pjesshëm të shpenzimeve, për vitin 2015, për realizimin e procedurave të prokurimit, përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban për vitin 2015, ndërsa pjesa tjetër e fondeve prej 530 milionë lekësh përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2016.

Vendimi është marrë në mbështetje të ndarjes së re territoriale, ku shkrirja e 300 bashkive dhe komunave ka sjellë detyrimisht dhe një tjetër vizion për zhvillimin ekonomik apo industrial të zonave.

Share This Video


Download

  
Report form