TIRANË - Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi ka kërkuar Bashkia e Tiranës të miratojë buxhetin për shpronësimet e banorëve të cilët preken nga ndërtimi i Bulevardit të ri. Gjatë një konference për median ditën e sotme, ai tha që, Bashkia të mos merret me politikë, por të punojë për interesat e qytetarëve.
Gjatë një konference për median, Vorpsi tha se, "në cilësinë e Prefektit të Qarkut Tiranë, jam i detyruar t'i kërkoj Bashkisë së Tiranës, Kryetarit të saj dhe Këshillit Bashkiak, rishqyrtimin e zërit të buxhetit që ka të bëjë me shpronësimet për realizimin e projektit e Bulevardit Verior dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës".
Sipas tij, "shuma e përllogaritur nga ish-qeveria Berisha nuk përputhet me shumën e vënë në dispozicion nga kryetari, Lulzim Basha". "Problemi me këtë mospërputhje mes Berishës dhe Bashës qëndron te fakti se të cënuarit dhe ato që vuajnë në fund janë qytetarët", theksoi prefekti Vorpsi.
"Si Prefekt i Qarkut Tiranë, nuk mund të lejoj që qindra banorëve të kryeqytetit, siç e kemi parë edhe në protestat e zhvilluara prej tyre, t'u prishen shtëpitë nga Bashkia, pa u saktësuar më parë fondi që do t'i dëmshpërblejë ata", deklaroi prefekti i Tiranës.
Për Vorpsin, kjo është e padrejtë dhe bie në kundërshtim edhe me vetë lejen e lëshuar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe më konkretisht Pika 5 e saj ku vetë Basha thekson se, "në pasuritë pronë private, subjekt shpronësimi nuk do të kryhen punimet pa u përfunduar më parë procedurat e shpronësimit sipas legjislacionit në fuqi".
"Në këto kushte, dëshiroj t'i bëj edhe njëherë thirrje Bashkisë së Tiranës, që të rregullojë zërin e shpenzimeve të shpronësimeve dhe vetëm më pas, puna mund të vazhdojë normalisht", tha Vorpsi.
Në fund prefekti Sadi Vorpsi tha që, "bashkia të mos merret me politikë, por me interesin qytetar, pasi qytetarët janë të parët".