A1 Report - Kryeministri promovon librin e gazetares Rudina Xhunga

Report TV 2015-08-22

Views 3

TIRANE- Gazetarja Rudina Xhunga promovoi të hënën pasdite librin e ri të saj të titulluar "Shkrimtarët e shekullit", një përmbledhje me 31 intervista me emrat më të njohur të letërsisë dhe mendimit bashkëkohor, mes tyre nobelistë që frymëzuan dhe ndryshuan botën e këtij shekulli. Në ceremoninë e organizuar ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, i cili është dhe autor i parathënies së librit, e titulluar "Një shfaqje për të mos u humbur!". Në përshëndetjen e tij ai vlerësoi librin e gazetares Xhunga dhe bashkëpunimin e saj me botuesen Arlinda Dudaj.

"Libri është një vepër e përbashkët e dy grave që japin e marrin me të gjitha problemet që kanë sot gratë-nëna, por që nuk heqin dorë dhe nga pasioni për librin. Dhe kur bëhen të dyja bashkë gjithmonë është sukses dhe kënaqësi të shohësh se çfarë arrijnë të prodhojnë", tha kryeministri Rama. "Ky libër, vijoi ai, ka dhe një të mirë tjetër për kohën që jetojmë, se nuk të imponon ta fillosh tek faqja e parë dhe të shkosh tek faqja e fundit, por të jep mundësinë që sa herë ta hapësh të shikosh një gjë që nuk e ke parë më parë dhe pa pasur nevojë të ndjekësh gjithë rendin e gjërave".

Sipas kryeministrit libri të jep mundësinë të gjendesh në stacione krejt të ndryshme, gati-gati të përshkosh botën, por pa rend për t'u nisur nga 'a'-ja për të shkuar tek 'zh'. Libri meriton respekt për përpjekjen e gjatë të Rudinës për të mbledhur bashkë 31 shkrimtarë, në një botim të vetëm pas një endje të gjatë në bibliotekën e botës.

Share This Video


Download

  
Report form