SHKODER- Kultivimi i Kanabis Sativa jo vetëm që rrezikon sigurinë kombëtare, por edhe statusin kandidat për në BE, ndaj nevojitet një luftë e mirëorganizuar ndaj këtij fenomeni. Ka qenë kjo deklarata e nën/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Altin Qato, gjatë takimit me temë "Parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike" të zhvilluar në qarkun e Shkodrës.
Sipas drejtorit të policisë së Shkodrës me gjithë punën e bërë në vite, sërish qarku i Shkodrës vijon të kryesojë listën e zonave të kultivimit të bimëve narkotike në vend.
E nga ana tjetër prokurori i Shkodrës Besnik Cani shfrytëzoi rastin për të tërhequr vëmendjen e policisë në koordinimin e aksioneve, që puna të mos mbetët vetëm në fazë asgjësimi, por të vihen para drejtësisë edhe kultivuesit.
Vetëm gjatë 2013 në qarkun e Shkodrës janë asgjësuar mbi 51 mijë rrënjë bimë narkotike kanabis sativa, ndërsa komunat më problematike janë të ato të zonave të thella.