Kandidati i PDSH-së për deputet Bekim Fazliu pranon përballjen në gjyq me ministrin e Mbrojtjes Talat Xhaferi lidhur me padinë që ky i fundit e dorëzoi në Gjykatë kundër Fazliut, me arsyetimin se ka bërë shpifje, gjatë akuzave për kryerjen e magjistraturës me paratë e popullit. Fazliu kërkoi sot që procesi gjyqësor të fillojë sa më parë dhe të përfundojë, siç tha, derisa BDI është në pushtet. Fazliu tha se padia e Xhaferit nuk do të ndalojë atë që të zbardhë dokumente tjera për funksionarët e BDI-së.
"Talati si Talat, me trika të Beogradit, mundohet me pushtet të kërcënoj. Kot e ke, Talat. Mirëpo, më në fund edhe prej Talatit, "zastavnikut" të JNA-së dhe ARM-së, doli një veprim i qëlluar. Andaj Talat Xhaferi, pranoj me gjithë qejf të shihemi në gjyq, dhe apeloj te gjykata që ky proces të fillojë sa më parë, dhe të përfundojë deri sa ju jeni në pushtet, para 27 prillit", tha Bekim Fazliu, PDSH.
BDI-ja nga ana tjetër insiston të merr përgjigje nga PDSH-ja për legjitimimin e zgjedhjeve presidenciale dhe për dosjen e firmës "Interpromet".
"Përse e legjitimojnë procesin zgjedhor për zgjedhjet presidenciale me kandidatin Iljaz Halimi dhe, a është Iljaz Halimi kurban për mos hapjen e dosjes së Interprometit në Tetovë. Ne nuk do të merremi më me pres konferencat e tyre, derisa nuk e marrim këtë përgjigje", deklaroi Abdilaqim Ademi, BDI.
Nga ana tjetër, BDI-ja nuk sheh asgjë të keqe në angazhimin e kuadrove profesional për këshilltarë në dikastere të ndryshme, aq më shumë kur Vllado Popovski është autor i dy librave që kanë të bëjnë me luftërat e shqiptarëve. Nga BDI-ja i bëjnë thirrje Bekim Fazliut që para se të akuzojë, të lexojë librin e Popovskit me titull "Lëvizja Çlirimtare Kombëtare Shqiptare (1830-1912)". Benjamin Arifi