Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti ka paralajmëruar për nesër dorëzimin zyrtar të padisë për deputetin e PDSH-së Bekim Fazliu. Pas kalimit të ultimatumit 3 ditor që ministri Bexheti i kishte dhënë deputetit Fazliu për kërkimin e faljes publike, ministri ka vendosur që të sfidojë deputetin në Gjykatë. Bekim Fazliu do të paditet për shpifje, për shkak të akuzave që ai drejtoi në seancën e pyetjes së deputetëve, të premten e kaluar.
"Është e rrugës, është etike dhe morale që edhe politikanët të mbajnë përgjegjësi për fjalën publike që thonë. Kjo ishte arsyeja dhe qëllimi se përse paralajmërova padi. Dua të njoftojë opinionin se tanimë është në procedurë, dhe nesër do të parashtrohet padia para gjykatës kompetente. Besoj se do të vlejë si shembull pozitiv për të gjithë ne që merremi me politikë dhe ushtrojmë funksione politike të mos keqpërdorim imunitetin dhe të fshihemi pas tij", deklaroi Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë.
Kushtetuta e Maqedonisë e mbron fjalën e thënë në foltoren e Kuvendit, dhe imuniteti i deputetëve pamundëson që ata të japin përgjegjësi në Gjykatë për qëndrimet e tyre të shprehura në Kuvend. Por, prapëseprapë ministri Blerim Bexheti i bëri thirrje deputetit Bekim Fazliu që të heqë dorë nga imuniteti dhe të përballet në Gjykatë. Sipas Bexhetit, nëse Fazliu nuk heq dorë nga imuniteti i tij si deputet, atëherë padia e ministrit do të përqendrohet në shkrimet e Bekim Fazliut në rrjetet sociale.
"Askush nuk ia ndalon të drejtën që të heq dorë nga imuniteti. Ka një mundësi të mirë të tregojë përpara opinionit që nuk bën keqpërdorim dhe nuk fshihet pas imunitetit. Le të dëftojë se është konsekuent dhe përgjegjës për fjalën e thënë. Besoj se jo vetëm unë por askush nuk meriton të humbë kohë me deputetin në fjalë. Megjithatë ka bërë keqpërdorim edhe në rrjetet sociale, që mendoj se është bazë e mjaftueshme juridike", tha Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë.
Padia për shpifje ka të bëjë për akuzat që deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu i drejtoi ministrit në seancën për pyetje deputetësh. Fazliu tha se ministri Bexheti është kapur me armë dhe drogë në një diskotekë në qendër të Shkupit. Në reagimin e tij, Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti ka pranuar se ka qenë i pranishëm në momentin e kontrollit policor, por mohoi se ndaj tij apo shoqëruesve të tij të jetë gjetur ndonjë substancë e ndaluar. Deputeti Bekim Fazliu, i kontaktuar nga Alsat M theksoi se mbetet në fjalët e thëna në Kuvend, ndërsa në lidhje me padinë do të prononcohet vetëm pasi ajo të zyrtarizohet. Benjamin Arifi