TIRANË - Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka sulmuar qeverinë Rama duke thënë se, paketa fiskale dhe taksat e rënda ka bërë që gjatë këtyre muajve të mbyllen rreth 40 mijë vende pune.
Duke folur nga pallati i Kongrese ku është hapur një panair i mobiljeve, Basha tha se, "gjendja aktuale nuk është ajo e dëshirueshmja dhe është nën presion në mënyrë të paarsyeshme".
Sipas kreut të PD-së, njëkohësisht edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, "qeveria duhet ti vijë në ndihmë këtij sektori dhe sektorëve të tjerë të prodhimit. Mbi 40 mijë vende pune janë humbur gjatë këtyre muajve dhe ky nuk është sinjal i mirë i qeverisë me paketën e re fiskale".
"Në këto kohë duhet të ulim dhe jo të rrisim taksat", tha Basha duke iu referuar gjendjes ekonomike. "Të mos kthejmë vëmendjen në mënyrë klienteliste por tek të gjithë. Situata është e rëndë dhe është një kambanë alarmi", theksoi në fjalën e tij kreu i PD-së.
"Kjo situatë e rëndë vjen për shkak të taksave të rënda dhe i bëj thirrje qeverisë që të reflektojë dhe të ulë taksat", përfundoi deklaratën e tij kreu i PD-së, Lulzim Basha duke premtuar mbështetje për biznesin.