TIRANE- Licencat për HEC-et lokale që nuk janë vënë në shfrytëzim dhe që nuk përmbushin kriteret e ligjit për koncesionet, do të anulohen dhe do të rinxirren sërish në privatizim. Kështu ka thënë sot ministri i Industrisë dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, sipas të cilit dikasteri që ai drejton ka nisur shqyrtimin e të gjitha licencave të HEC-eve lokale që nuk kanë bërë asnjë investim deri tani po që mbahen nga subjekte të caktuar për t'u rishitur.
Ndërsa ka prezantuar Planin e Menaxhimit Mjedisor dhe Social të projektit hidroenergjetik mbi lumin Devoll, ministri Gjiknuri theksoi se, qeveria do të mbështesë të gjithë investitorët që kanë marrë licencë për HEC-et dhe kanë kryer investime.
"Investimi ne kaskadën e Devollit do të kushtojë 800 mln dollarë. Investimi është me shumë interes për investitor e huaj. Në rajon po shikohet ndërtimi i veprave madhore. Do të inkurajohen ata që ndërtojnë HEC-e. Por ata që i mbajnë licencat kot, do t'u hiqen dhe licencat do të bëhen me konkurrim. Licencat dhe investimet që nuk janë vënë në punë do të anulohen dhe nuk kanë vlerë", tha Gjimnuri.
Gjithashtu ministri Gjiknuri theksoi se do të hapen konkurse të reja për licencat e HEC-eve, që do të hiqen.