TEPELENE- Banorët e një fshati në Tepelenë vënë çdo ditë jetën e tyre në rrezik, pasi kalojnë lumin përmes një mjeti primitiv lundrues, në mungesë të një ure.
Për të shkuar në shkollë fëmijët dhe gjithë banorët e fshatit Kallëmb në këtë rreth duhet të rrezikojnë çdo ditë për të kaluar në anën tjetër të lumit.
Ata ankohen se situata bëhet më e vështirë kur lumi është i rrëmbyeshëm, ndaj për këtë arsye shumë fëmijë nuk mund të shkojnë në shkollë, për shkak të rrezikut që u kanoset.
Banorët e këtij fshati dhe nxënësit duhet të përshkojnë rreth 50 çdo ditë mbi lumin Vjosë mbi këtë mjet lundrues, aspak të sigurt për të kaluar në anën tjetër, duke vënë shpesh në rrezik jetët e tyre. Madje, situata bëhet edhe më e rrezikshme kur moti është i keq dhe lumi është i rrëmbyeshëm.
Drejtor i shkollës 9-vjeçare, e konsideron këtë gjendje kritike dhe bën apel të merren masa për të parandaluar ndonjë tragjedi.
Kjo situatë është prezente prej 20 vitesh, madje ky mjet lundrues gati primitiv u shërben banorëve të fshatit edhe në raste hidhërimesh apo organizimeve festive.