A1 Report - SHKB: Minat me celular, aksioni u dekonspirua nga brenda policisë

Report TV 2015-08-21

Views 0

TIRANË - Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në polici dhe Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet për dekonspirimin e operacionit për atentatet me eksploziv, ku në pranga u vunë, Marjon Mitro, si porositës i atentatit ndaj prefektit Besnik Dervishaj dhe Julian Sinani, i arrestuar për dy vrasje dhe dy atentate në Vlorë.

Sipas të dhënave nga SHKB-ja, bëhet fjalë për dekonspirimin e arrestimit të Genis Mëhillaj dhe Andon Mëhillaj, të cilët janë shpallur në kërkim.

Burime nga Ministria e Brendshme kanë bërë të ditur se, janë gati disa fletë-arreste për oficerët e policisë që kanë nxjerrë informacione, që kanë sjellë edhe arratisjen e tyre, si dhe do të shoqërohen edhe gazetarët të cilët kanë nxjerrë të dhënat e operacionit "Mega Operacion".

Prokuroria e Përgjithshme gjithashtu, ka bërë të ditur se, ka nisur hetime për të zbuluar se kush i ka dhënë informacion medias në lidhje me këtë operacion.

Sipas prokurorisë, procedimin penal ka nisur për "nxjerrje të sekretit hetimor", për funksionarët publikë, të cilët kanë publikuar informacione jozyrtare, lidhur me operacionin dhe hetimet, në kuadër të të cilave janë arrestuar disa persona të dyshuar si të përfshirë në vepra të rënda penale, ndër të tjera edhe vrasje me pagesë.

Sipas prokurorisë, "procedimi në këtë rast bazohet në nenet 122 dhe 294 të Kodit Penal, si edhe në nenet 103, 104 dhe 279 i Kodit të Procedurës Penale".

Deri më tani konstatohet se nga burime, për të cilat po punohet për t'i identifikuar, i janë ofruar medias të dhëna, të cilat rrezikojnë hetimin dhe, për më tepër, jetën e personave të përfshirë në këtë çështje, ka bërë të ditur Prokuroria e Përgjithshme.

"Prokuroria do të vijojë të ndjekë me vëmendje çdo informacion jozyrtar që do të publikohet për këtë çështje dhe do të vijojë me procedimet penale për çdo person që ka për detyrë të ruajë sekretin, duke pasur parasysh se hetimi për këtë çështje është në fazat e para të tij", thanë burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme.

Share This Video


Download

  
Report form