TIRANE- Policia shkatërron grupin kriminal që terrorizonte me tritol qytetin e Vlorës, prej të paktën 1 viti. Tre anëtarë të bandës u arrestuar, nërsa 2 janë shpalluar në kërkim. Banda dyshohet si përgjegjëse për vrasjen e dy biznesmenëve, si dhe vendosjen e eksplozivit ndaj Ardian Kollozit. Në operacionin e madh u arrestua Marion Mitro, punonjës i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor në bashkinë Vlorë dhe pronar i 2 lokaleve në qytetin bregdetar, i cili dyshohet se porositi atentatin që mbeti në tentativë, ndaj prefektit të Vlorës Besnik Dervishi. 42-vjeçari Mitro u kap teksa po tentonte të kalonte në aeroportin e Rinasit, pasi policia po e survejonte kur takohej me 31-vjeçarin Juljan Sinanaj, tjetër i arrestuar në këtë aksion, para 4 ditësh.
Kryepolici i Tiranës, Ardian Çipa shpjegoi detaje nga operacioni i madh, ku u arrestua grupi kriminal që u bënte atentate me eksploziv biznesmenëve dhe zyrtarëve.
Ngjarjet e rënda për të cilat akuzohet grupi kriminal, tre prej të cilëve u arrestuan dhe dy janë shpallur në kërkim, baza e të cilit u zbulua në afërsi të Gjykatës së Tiranës, datojnë nga 2 vite më parë e deri në ditët e sotme.
Lidhur me arrestimin e 42-vjeçarit Marion Mitro ka reaguar përmes "A1 Report" Prefekti i Vlorës, Besnik Dervishi.
Ndërkaq, 42-vjeçari Marion Mitro mësohet se është inspektor i Inspektoriatit Ndërtimor Vendor në Vlorë dhe u arrestua gjatë operacionit "Mega Operacion" kur po tentonte të largohej nga Rinasi pasi kishte dijeni që ishte në ndjekje nga policia.
Policia e kryeqytetit bën me dije se për Marion Mitro, nga qyteti i Vlorës, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte dhënë masën e arrestit burg në mungesë dhe në fshehtësi të plotë për arsye të hetimit.