DIBER E MADHE- Qeveria e Maqedonisë planifikon ndërtimin e një hidrocentrali në Mavrovë, me ujërat e lumit të Radikës që për pasojë duhet të devijohet rrjedha e tyre nga Drini drejt lumit Vardar.
Është ky projekt që ka shqetësuar banorët e Dibrës së Madhe, ku derdhet Radika.
"A1 Report" ka udhëtuar deri në Dibër të Madhe, aty ku kundërshtohet devijimi i rrjedhjes së Radikës dhe kërkohet ndihmesa e Tiranës zyrtare për të penguar këtë hidrocentral.
Për kreun e komunës Dibër e Madhe, Rruzhdi Lata, ky projekt është "grabitje", ndërsa shprehet besimplotë se "qeveria maqedonase nuk do ta ketë asnjëherë pëlqimin e Shqipërisë për të dëmtuar shqiptarët".
Për kryeministrin e qeverisë shqiptare Edi Rama, mesazhi drejtuar shtetit maqedonas është i qartë ku në një shënim të tijin në rrjetin social "Facebook" më 20 janar shkruante se "S'ka projekt. S'ka gjasë të ketë fillim të njëanshëm. S'ka shans të lejojmë prekjen e interesit tonë! Duke e vlersuar gjithçka thuhet deri më tani si shumë zhurmë për asgjë!".
E teksa në median maqedonase shqetësimi i qytetarëve të Dibrës ka gjetur shumë pak ose aspak hapësirë, në Tiranë përfaqësues të dy qeverive, asaj maqedonase dhe shqiptare, flasin se nuk ka devijim të Radikës pa pëlqimin e Shqipërisë.
Kundërshti për realizimin e hidrocentralit të Mavrovës kanë dhe ambjentalistët në Maqedoni. Një prej tyre shprehet për "A1 Report" se "Por paçka debatit, sa teknik, politik apo nga shoqëria civile, një hidrocentral i ndërtuar përkthehet në vlera monetare. Ku humbjet për shqiptarët e Dibrës së Madhe në Maqedoni dhe shtetin shqiptar janë jetike".