Kryesia e BDI-së ka diskutuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ka filluar procesin e vlerësimit të nevojës për mbajtjen e tyre. Kryesia e partisë ka vendosur mbrëmë që të gjithë ministrat dhe funksionarët e saj të raportojnë për punën e bërë në 3 vitet e fundit. Pas përfundimit të analizave, në një nga mbledhjet e ardhshme, BDI-ja do të vendos për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
"Asnjë strukturë e BDI-së nuk ka biseduar me partnerin e koalicionit për zgjedhje të parakohshme. Kryesia Qendrore bëri një analizë dje, për rrethanat aktuale, për nevojën e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni. Analizoi në përpikshmëri realizimin e marrëveshjes politike të pas zgjedhjeve të vitit 2011. Kërkoi raport nga ekzekutivi i cili u dorëzua dje dhe u raportua për punën e ministrive gjatë këtyre 3 viteve", u shpreh Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Ndërkohë lideri i PDSH-së Menduh Thaçi realizoi në Shkup takim me ambasadorin amerikan Poll Uollers, për të diskutuar rreth zgjedhjeve presidenciale dhe procesin eurointegrues. Sipas Thaçit nuk është biseduar për zgjedhjet parlamentare, por ai është i bindur se PDSH-ja do të detyrohet të përballet në zgjedhje.
"Aktrimi i palës tjetër më ngjan në një gjë të tillë. Ne do të jemi të detyruar të dalim në zgjedhje, nëse BDI-ja vendos të përballet me ne në proces zgjedhor", tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Mësohet se përfaqësuesit e Bashkësisë ndërkombëtare nuk janë të mahnitur me idenë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Të hënën për vizitë në Maqedoni pritet të qëndrojë një përfaqësues i lartë i Departamentit amerikan të shtetit, misioni i të cilit do të jetë njohja nga afër me zhvillimet politike në vend. Benjamin Arifi