Ivanovi për BDI-në jo-legjitim, për PDSH-në legjitim

alsatmtv 2015-08-22

Views 0

Gjorge Ivanov është president legal, por jo legjitim për shkak se procesin e zgjedhjeve presidenciale e kanë bojkotuar 90% e shqiptarëve të Maqedonisë. Ky është qëndrimi i BDI-së, të cilët vendimin për bojkot të inagurimit të Ivanovit e bazojnë në vullnetin e shqiptarëve. Deputeti Talat Xhaferi thotë se megjithatë ky bojkot nuk do të ndikojë në bisedimet për formimin e Qeverisë.

"Secili institucion që nuk ka vullnetin e dy komuniteteve sipas Marrëveshjes së Ohrit është jolegjitim. Shqiptarët me mbi 90% i thanë jo presidentit të njëanshëm, dhe ne do të respektojmë vullnetin e tyre. Pra, problemi i legjitimitetit të Ivanovit nuk është problem i yni, por i gjithë atyre që besojnë se mund ta ushtrojnë autoritetin politik mbi 90% e shqiptarëve që i thanë jo presidentit të njëanshëm", tha Talat Xhaferi, BDI.

Ndërkaq për PDSH-në, Gjorge Ivanov është president legal, por edhe legjitim. Ata thonë se mbeten kozistent në qëndrimin e tyre sa i përket kryetarit të shtetit.

"Morëm pjesë për shkak se ky është qëndrim parimor i joni gjatë këtyre zgjedhjeve. Kemi qenë kundër bojkotit, dhe nuk kemi bërë shantazhe, kërcënime dhe terror mbi votuesit, që të mos dalin të votojnë. Ne i kemi lënë qytetarët të lirë të vendosin vet, për cilin kandidat për president të votojnë. Presidenti është legjitim për shkak se e kanë votuar shumica e qytetarëve të Maqedonisë", u shpreh Bekim Fazliu, PDSH.
Për VMRO-në, mosnjohja e Ivanovit është problem i atyre që e kontestojnë legjitimitetin e tij. Sipas Dimovskit, Ivanovi ka marrë votat e të gjithë qytetarëve, përfshi edhe shqiptarët.

"Problem në të gjithë kontekstin, komunikimin dhe funksionimin mund të kenë vetëm ata që nuk e pranojnë legjitimitetin, por ne apelojmë në racionalitet, dhe apelojmë të pranohet vullneti i shumicës së qytetarëve", theksoi Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.

BDI dhe PDSH nuk lëshuan rastin të përplasen edhe për çështjen e presidentit. PDSH-ja akuzoi partinë e Ahmetit për lojë të dyfishtë, pasi sipas tyre në zgjedhjet presidenciale aktivistë të kësaj partie kanë votuar Stevo Pendarovskin. Për BDI-në, legjitimimi i presidentit është i pritshëm prej PDSH-së, të cilët edhe votuan për të në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form