TIRANE- Kur trafikimi i qënieve njerëzore është prioritet për t'u luftuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi flet për një trend të ri. Shqiptarët që shfrytëzojnë shtetas të huaj për të punuar në Shqipëri.
Rasti i fundit janë shtetas nga Filipinet të cilët janë sjellë në Shqipëri nëpërmjet Kosovës për tu shfrytëzuar për punë.
"Trend në rritje është edhe shfrytëzimi i shtetasve të huaj për punë. Në 2013, në dy raste shtetas nga Filipinet janë sjellë në Shqipëri nëpërmjet Kosovës dhe shfrytëzohen për punë. Trafikantët nuk përdorin më dhunë fizike për rekrutimin e viktimave. Në pjesën më të madhe bëhet marrëveshje mes viktimës dhe shfrytëzuesit për të ndarë fitimet me njëri tjetrin."- tha Didi.
Trend i ri për destinacionin e trafikut të femrave shqiptare. Destinacioni i viktimave të prostititucionit po bëhet gjithnjë e më shumë Kosova. Kjo është bërë e ditur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi në një seminar të organizuar sot me temë hetimin e veprave të trafikimit njerëzor.