Daniel Donçevski nga lagja Maxhari e Shkupit është besimtari që kapi këtë vit kryqin e shenjtë të hedhur në ujërat e lumit Vardar. Ai ishte më i shpejti në mesin e 200 besimtarëve që morën pjesë në këtë ngjarje. Kumbarja e manifestimit, Ana Maria Vukovska i dhuroi Donçevskit një televizor plazma dhe ikona të vendeve të shenjtëruara në Jerusalem.
"Qofshi të gjithë, gjallë e shëndosh. Kryqi është me mua dhe me të gjithë ju! Për herë të tretë është tek unë, dhe jam shumë krenar për këtë. Uroj që të gjithë të përjetojnë atë që përjetova edhe unë sot", u shpreh Daniel Donçevski, besimtar.
Ndërkaq, rrëmuja e madhe dhe mos durimi i pjesëmarrësve para hedhjes së kryqit në ujë, tek klerikët la përshtypje se mes besimit dhe popullit është futur ndjenja e materializmit. Prifti iu bëri thirrje disa herë qytetarëve që të dilnin nga uji, por ata nuk e dëgjuan.
Pikërisht, për shkak të materializmit, vitin e ardhshëm, dhuratat që do të marrë ai që do të kap kryqin, do të jenë shumë më të pakta; vetëm ikona e shenjtë. Uji i bekuar ose - Epifania është një festë e krishterë që festohet që nga shekulli i dytë. Ajo lidhet me pagëzimin e Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan nga Shën Gjoni. Kapja e kryqit simbolikisht shënon bashkimin e njeriut me Krishtin. Petar Bllzhevski