Dejan Arsovski nga lagja e Draçevës është besimtari që kapi kryqin e hedhur në ujërat e lumit Vardar për festën ortodokse të Ujit të Bekuar. Në këtë manifestim ai merr pjesë për herë të parë, ndërsa motivi i vetëm për pjesëmarrjen e tij ka qenë djali i tij 1 vjeçar, Vojdan, që mban pikërisht emrin e festës.
"Sot kam kërcyer për shkak të djalit tim që sot ka festën e emrit të tij. Shpresoj se do kemi fat, shëndet dhe sukses në punë", u shpreh Dejan Arsovski, besimtarë.
Dejani morri urata nga arqipeshkvi Stefan, nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe kreu i qytetit të Shkupit Koce Trajanovski. Ata i ofruan dhurata të shumta mes të cilave edhe: kupon për aparate elektro-shtëpiake, një monedhe ari dhe ikonë të shuguruar. Pas kryqit të shenjtë, në ujërat e bekuara të Vardarit këtë vit kërcyen 173 besimtarë. Manifestimi kaloi në hare, dhe asnjë nga pjesëmarrësit nuk u ankua për ndonjë lëndim. Uji i Bekuar është festë e krishtere ortodokse, dhe festohet që nga shekulli i dytë. Ajo është e lidhur me pagëzimin e Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan nga ana e Shën Gjonit. Kapja e kryqit në mënyrë simbolike shënon bashkimin e njeriut me Krishtin. Petar Bllazhevski