TIRANE- Automjeti Mercedez Benz 220, i cili u gjet i djegur dhe i braktisur nga autorët e grabitjes së argjendarisë në TEG, është grabitur pasditen e 18 dhjetorit, në atentatin ndaj Shefqet Kajmakut. Pra makina u vjedh 6 ditë para se të ndodhë grabitja e argjendarisë nga hajdutët e armatosur të vjedhur si babagjyshë.
Këtë e ka pohur për A1Report vetë Kajmaku, babai i kreut të PS-së në Prezë, Vladimir Kajmaku i cili aktualisht është duke u kuruar në spitalin e traumës për plagët e marra me armë zjarri në atë ngjarje.
I pytur nëse ka ndonjë ide, se cilët mund të jenë grabitësit, Kajmaku thotë se i përket policisë të zbardhë ngjarjen së bashku me autorët që i kanë grabitur makinën dhe e kanë plagosur duke i shkaktuar jo pak probleme.
Burime nga grupi hetimorë bëjnë me dije për A1Report se nga hetimet rezulton se grabitësit janë paraqitur me dy automjete në parkimin e autobuzëve pranë qendrës tregtare, ku 4 prej babagjysheve janë futur në qendrën tregtare duke luajtur si fillim me fëmijët për të mos rënë në sy ndërsa personat e tjerë kanë qëndruar jashtë në pritje.
Sapo kanë mbërritur në hyrje të argjendarisë katër grabitësit e maskuar kanë nxjerrë armët, e janë future në argjendari. Në këtë moment ata kanë kërcënuar pronarin e dyqanit se nëse shtyp alarmin do t'i merrnin peng djalin 5 vjeçar që ndodhej në ato moment brënda argjendarisë.
Hetimet vazhdojnë intensivisht me një grup të posacëm nga policia e shtetit dhe prokuroria e tiranës, ndërsa ende nuk ka asnjë person të arrestuar për ngjarjen.