Drejtori i Policisë Kufitare, Genc Merepeza, u shpreh se salla operative e aeroportit të Rinasit ka dhënë njoftimin e grabitjes në aeroportin e Rinasit me 3 minuta vonesë. I ftuar në emisionin "45 minuta" nga Denis Minga, Merepeza tha se kompania ka lëshuar alarmin kur grabitësit kishin dalë nga aeroporti i Rinasit.
"Policia kufitare sipas të gjitha shënimeve, është njoftuar në momentin që makina ka dalë nga rrethimi. Sipas orës që ka shënuar në regjistër punonjësi i sallës operative, është raportuar në 14:32 minuta. Në bazë të disa vlerësimeve të mëvonshme, është llogaritur që mund të ketë një gabim prej 2 minutash në sinkronizimin e orës, pra 2-3 minuta pasi makina ka dalë nga rrethimi i aeroportit", u shpreh Merepeza.