Qytetarët do të mund t'i marrin SMS-të për caktim vizite, edhe në shqip. Por, kërkesën për gjuhën e tyre të preferuar, ata duhet t'ja adresojnë mjekut familjar. Sqarimi është bërë nga ministria e Shëndetësisë, e cila iu bën të qartë gjithashtu qytetarëve, se mesazhet do të shpërndahen më 16 Dhjetor, falë sistemit për caktim elektronik "Vizita Ime". Fillimisht, të gjithë qytetarët do të marrin sms-të në gjuhën maqedonase, por, pasi të shkojnë tek mjeku amë, do të kenë zgjedhje të marrin formularin në gjuhën e tyre që duan të deklarohen, dhe po në të njëjtën gjuhë, do të marrin edhe mesazhet në celular. Përveç gjuhës, qytetarët do të kenë mundësi që përmes të njëjtit mesazh të mund edhe ta anulojnë kontrollin e tyre, duke dërguar mesazh në numrin 144-194, për t'ia lënë vendin pasardhësit në listën e pritjes. Mesazhe SMS do të marrin edhe mjekët. Ata duhet të jenë gjithashtu në dijeni të numrit të kontrolleve dhe ndërhyrjeve gjatë orarit të zakonshëm të punës, për cdo ditë të nesërme. Por, nga ana tjetër, nëse një pacient refuzohet pa arsye nga vizita e tij, ai ka të drejtë të kërkojë paratë për shpenzimet e udhëtimit. Sistemi që u promovua nga Ministria e Shëndetësisë ka për qëllim që të zvogëlojë kohën e pritjes në institucionet shëndetësore, si dhe të rrisë cilësinë e shërbimit shëndetësor. Në këtë mënyrë, edhe mjekët do të koordinojnë më mirë shpërndarjen e pacientëve dhe pritjen e tyre, për diagnostikim. Bojana Simonoviq