Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tani kthen vëmendjen nga ndërkombëtarët dhe përfaqësitë e tyre në Shqipëri për betejën e tij kundër qeverisë Rama.
Sapo ka përfunduar një takim që ka zgjatur rreth 45 minuta mes liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, takim që u zhvillua në selinë e PD.
"Tema për të cilën diskutova me ambasadorin Arvizu është edhe shqetësimi numër një i qytetarëve shqiptarë, sot dhe qytetarëve shqiptarë nesër, dhe kjo është sulmi i paprecedentë ndaj votës së lirë në Korçë, cënimi i themeleve të demokracisë", tha Basha pas takimit.
"E njoha me këtë shqetësim që vjen pas shqetësimeve të ngritura në raport me shkeljet ndaj Kushtetutës, shkelmimin e shtetit ligjor dhe sjelljen antiligjore të maxhorancës në të gjitha drejtimet veçanërisht ndaj institucioneve të pavarura, emërimeve të paligjshme kryesisht në Policinë e Shtetit dhe në strukturat e tjera të shtetit", shtoi më tej ai.